Tetova në “flakë”, protestë e madhe kundër shtrenjtimit të rrymës

Mijëra banorë në Tetovë sot dolën sërish për të shprehur revoltën e tyre pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë, vendosi të shtrenjtojë çmimin e rrymës elektrike për 7,42%.

Krenar Osmani nga Këshilli Organizativ i protestëska lexuar katër kërkesat e protestuesve.

1) Komisioni Rregullator për Energjetikë të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 46%.
2) Qeveria e RMV-së të anulojë monopolin e shërbimeve të kompanisë evn, dhe t’i japë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve;
3) Kuvendi i RMV-së të ç’aktivizojë (zhbëjë) komisionin rregullator energjetik, sepse ky organ i shërben vetëm apetiteteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë;
4) Kuvendi i RMV-së të krijojë një trup të pavarur arbitrar, në shërbim të qytetarëve që do të verifikojë cilësinë e shërbimeve, dhe do të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto.

Organet e lartëpërmendura kanë edhe 4 ditë punë t’i plotësojnë këto kërkesa, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, protestuesit, siç thanë javën e kaluar, nuk do të japin llogari për të bëmat e tyre.

Sipas organizatorëve mbledhja e protestuesve në Tetovë bëhet në tre vendtakime edhe atë te rrethrrotullimi te restorant “Mema”, te ish “Monopoli” dhe te çerdhja në  lagjen”Potok”. Ndërkaq, protesta do të përfundojë në qendër të qytetit.

Njëkohësisht, kundër shtrenjtimit të rrymës protesta u mbajtën edhe në Shkup.

Vendimi i Komisionit Rregullator i Energjetikës (KRRE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike është skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët  se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lajmi për rritjen e çmimit të rrymës u prit me reagime të ashpra në opinion, si rezultat i së cilës erdh edhe ideja për të protestuar.

Pas rritjes së çmimit, OJQ-të dhe Sindikatat kanë reaguar, të e cilin e quajnë skandaloz dhe kërkojnë që i njëjti të tërhiqet menjëherë.

Për dallim prej Maqedonisë së Veriut, e cila në mes të krizës e shtrenjtoi rrymën, disa prej vendeve më të zhvilluara evropiane krijuan lehtësime për qytetarët e tyre në këtë kohë pandemie.

  • Spanja gjatë kohës së krizës ka siguruar qasje të garantuar në rrymë elektrike, ujë dhe gaz për të varfrit, madje edhe nëse nuk i paguajnë faturat.
  • Italia i ka suspenduar faturat për rrymë, gaz, ujë dhe mbeturina për dy muaj.
  • Belgjika u ka dhënë amvisërive deri në 100 euro për faturat e ujit dhe 75 euro për faturat e gazit.
  • Sllovenia e uli çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë për 20%.