Kryesuesi i Kuvendit Talat Xhaferi sot u ka dhënë udhëzime shërbimeve kuvendore që për nesër ta përgatisin vazhdimin e seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Dhomës ligjdhënëse.
Sipas Xhaferit, fakti që nesër presidenti Stevo Pendarovski do t’ia ndajë mandatin e Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë, do të thotë se lideri i LSDM-së ka shumicë.
“Nga mediat kam mësuar se Pendarovski do t’ia ndajë mandatin Zaevit, që sipas Kushtetutës do të thotë se Zaevi e ka shumicën dhe se është përgatitur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me çka do të përfundojë edhe zyrtarisht seanca konstituive dhe Kuvendi do të konstituohet. Prandaj u kam dhënë udhëzimet shërbimeve kuvendore për nesër të përgatisin vazhdimin e seancës konstituive”, deklaroi Xhaferi për TV 24.
Për këtë ai tashmë i ka informuar edhe koordinatorët e partive në Parlament. Disa analistë shqiptarë menjëherë kanë ngritur dilemën nëse caktimi i seancës pa marrëveshje dhe pa siguruar 61 vota për kryetarin e Kuvendit, mund ta çojë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut drejt një bllokade, që mund të sjellë deri te përsëritja e skenarit të 27 prilli i pergjakshëm i vitit 2017. Ata shprehin edhe dilemën se ndoshta VMRO-DPMNE (44), BDI (15) dhe Levica (2), larg syve të opinionit mund të jenë marë vesh për emrin e kryeparlamentarit të ri. Mbetet nesër të shofim.