Prej nesër, ose më së voni deri të hënën, zëvendës ministri Agim Nuhiu do të marrë postin e Ministrit të Punëve të Brendshme (MPB). Me shpalljen e rezultateve zyrtare-përfundimtare zgjedhore, ministri teknik Naqe Çulev duhet të lëshojë postin, kurse sipas Marrëveshjes së Përzhinos, këtë post e mer zëvendës ministri që ka qenë para formimit të qeverisë teknike, e që në këtë rast është Agim Nuhiu. Nuhiu do të jetë ministër deri në zgjedhjen e ministri të ri në Kuvend, respektivisht deri në formimin e qeverisë së re.
“Do t’i ndërroj të gjithë kryeshefat e emëruar nga Naqe Çulevi”, ka thënë Nuhiu, transmeton Gazeta Lajm.
Ai rikthehet në këtë post pas tre viteve e gjysmë, por vështirë se do të qëndrojë gjatë kohës si në fund të vitit 2016 dhe fillim të vitit 2017. Atë kohë Nuhiu mbajti postin ministror katër muaj, për shkak të krizës që ishte krijuar me bllokimin e Kuvendit nga VMRO-DPMNE, e që përfundoi në mënyrë të përgjakshme më 27 prill.