Në Dibër sërish dezinfektim në rrugët kryesore dhe ambientet publike

Mbi bazë të konkluzionit të Shtabit Operativ të Dibrës filloi dezinfektimi i rrugës kryesore dhe rrugëve më të frekuentuara, si dhe ambienteve publike në qytet.

Këtë, pasi Shtabi në takimin e djeshëm të pasdites gjendjen epidemiologjike me koronavirus e vlerësoi si shumë kritike, me përhapje të përditshme të infektimit me virusin e rrezikshëm.

“Në orët e hershme të mëngjesit ekipe të ndërmarrjes sonë dhe të Njësitit Zjarrfikës Territorial, kanë kryer dezinfektim duke filluar nga hyrjet në qytet, rrugën kryesore dhe rrugët më të frekuentuara, si dhe ambientet publike. Këtë, siç vendosi Shtabi, do të bëjmë dy herë në javë gjatë një muaji”, deklaroi për MIA-n, Omer Cami anëtar i Shtabit Operativ dhe udhëheqës i sektorit të higjienës komunale në Ndërmarrjen Komunale Publike “Standard”.

Sipas konkluzionit të Shtabit, përhapja e virusit është pasojë e nivelit të lartë të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga ana e qytetarëve si dhe të subjekteve afariste të cilat në përgjithësi nuk i respektojnë protokollet e punës, as orarin e punës.

Të dhënat zyrtare konfirmojnë se deri më tani janë regjistruar gjithsej 173 raste me Kovid-19, prej të cilëve 122 janë nga faza e dytë e sëmundjes, pasi me rastin e regjistruar më pesë qershor, në fshatin Kosovrast i Poshtëm sëmundja sërish, pas pesëdhjetë ditëve, u kthye në këtë zonë. Nga numri i përgjithshëm numri pesë raste janë nga Komuna Qendër Zhupë. Aktivë të sëmundjes janë 111 persona, kanë vdekur pesë, ndërsa janë shëruar 57 persona. /MIA