Prej sot, kolektori për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit është vënë përsëri në funksion. Rehabilitimi filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka përfunduar plotësisht, me mjete të siguruara nga Qeveria, e cila ka marrë përsipër plotësisht detyrimin për të riparuar dhe mirëmbajtur sistemin e rëndësisë së jashtëzakonshme për mbrojtjen fizike të Liqenit të Ohrit. Kjo u kumtua sot nga ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska nga Ohri dhe bartësja e listës në NJ.Z 5 të koalicionit “Mundemi”, të udhëhequr nga LSDM-ja.
“Rehabilitimi i sistemit të kolektorit është çështje që u vendos nën qilim për 11 vite, Liqeni i Ohrit u harrua. Ne kemi treguar vendosmëri për të ruajtur statusin e UNESKO-s të Ohrit, kemi demonstruar vendosmëri për të investuar në mbrojtjen e mjedisit”, tha Shekerinska.
Ajo theksoi se qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja është gjendur në situatë të sistemit të lënë pas dore, tubacion të bllokuar të betonit, me më shumë se 15 stacione të dëmtuara të pompimit.
![]()
Me rehabilitim, janë pastruar kilometra nga tubacioni, është instaluar shtresë e brendshme prej tre kilometrash tubash në pjesët më kritike të sistemit dhe janë riparuar plotësisht 18 stacione pompimi, përfshirë pompën hyrëse në stacionin e pastrimit. Sipas të dhënave, çdo ditë derdheshin tetë mijë metra kub fekale nga pikat kritike të sistemit në liqen dhe në Drinin e Zi.
Shekerinska gjithashtu rikujtoi për aktivitetet e kryera për çlirimin e bregut të liqenit nga ndërtimet joligjore./MIA





