Dënimet e disa ish funksionarëve, në duart e Gjykatës Kushtetuese

Nesër, për herë të dytë, gjykatësit kushtetues do ta shqyrtojnë iniciativën e avokatit Elenko Millanov, dhe në varësi të asaj çfarë vendimi do të miratojnë, shumë gjykime kundër ish-politikanëve mund të marrin fund.

Përkatësisht, avokati e konteston paragrafin 5 të nenit 353 në Kodin Penal – “Shpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit” ose nëse ka një rast për një zyrtar ose funksionar. Për këtë vepër dënimi me burg është të paktën pesë vjet.

Millanov beson se kjo pjesë e ligjit është shumë e gjerë, nuk është preciz dhe nuk ka siguri juridike.

Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse do të vlerësojë kushtetutshmërinë e kësaj pjese të veprës penale. Sipas informacioneve të Alsat, nisma do të hidhet poshtë nesër ose do të shtyhet për herë të dytë. Shtyrja do të thotë përgatitje për hapjen e mundshme të procedurës. Atëherë Gjykata Kushtetuese do të jetë në gjendje të – shfuqizojë paragrafin 5, ta anulojë ose ta ndërpresë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë.

Nëse e anulojnë, atëherë shumë procese kundër ish-zyrtarëve do të dështojnë. Shumica e rasteve të tilla u hapën nga Prokuroria Speciale tashmë e shuar. Bazuar në paragrafin 5, ish-kryeministri Nikolla Gruevski u dënua me dy vjet burg, ish-ministrja Gordana Jankuloska me katër vjet burg. Për këtë vepër gjykohet edhe Ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijalkov, më tej ish-ministrat Mile Janakieski dhe Elizabeta Kançeska Milevska, Zëvendës Kryeministri Vlladimir Peshevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibraimi … Për këtë vepër ka gjykime për parregullsi zgjedhore, për përgjime masive, për prishjen e objektit Kozmos, për transportin e shtrenjtë të nxënësve në Manastir etj.

Qeveria më herët i kishte sugjeruar Gjykatës Kushtetuese, që të mos e pranonte iniciativën e avokatit Millanov.

Kodi Penal;

Shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit- neni 353, paragrafi 5: Nëse vepra është kryer gjatë prokurimit publik ose në dëm të parave të shtetit. Kryerësi dënohet me burgim të paktën pesë vjet.