Protesta në shkollën e mesme të qytetit të Shkupit “Pançe Karagjozov” ku kërkohej paralele shtesë në drejtimin motër medicinale, tregoi se këtë vit drejtimet mjekësore po mbeten më të parapëlqyera, kjo për faktin se në tre shkollat e mesme të Shkupit paralelet janë mbushur që në afatin e parë të regjistrimit. Janë plotësuar:
Tre paralele motër medicinale në “Pançe Karagjozov”
Dy paralele motër medicinale në “Cvetan Dimov”
Dy paralele laborant – medicinal në “Marija Kiri Skllodovska”
– Advertisement –
Interesimi i madh për drejtimet medicinale mund të jetë edhe për shkak të pandemisë së virusit Kovid-19, deklaron drejtori i shkollës, “Marija Kiri Skllodovska”, Blerim Nebiu.
“Në afatin e parë interesimi më i madh ka qenë për drejtimin mjekësor. Çdo vit ka interesim për drejtimet mjekësore, por sivjet, nuk e di çfarë ka ndikuar, ndoshta pandemia që nxënësit të interesohen më tepër për drejtimet mjekësore”, tha Blerim Nebiu, drejtor i “Marija Kiri Skllodovska”.
Nga drejtimet mjekësore të pa plotësuara në afatin e parë në këtë shkollë ishin teknologji ushqimore, teknik për ruajtjen e ambientit jetësor, teknik për prodhime kimike dhe kozmetike dhe drejtimi mjekësor teknik medicinal përkujdesës.
Drejtimi i teknologjisë ushqimore siguron edhe vend të punës, sqaron drejtori Nebiu.
“Mundësia për të vazhduar studimet dhe mundësia e dytë me diplomën e shkollës së mesme direkt të punësohet në tregun e punës nëpër kompani të ndryshme. Ne si shkollë profesionale kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë “Alkaloid” ku nxënësit tanë mund ta vazhdojnë praktikën, por prej këtij viti është risia se mund të punësohen drejtpërdrejt nga drejtimet kimi – teknologjike”, tha Blerim Nebiu, drejtor i “Marija Kiri Skllodovska”.
Se pse drejtimet që ofrojnë perspektivë për nxënësit po mbesin me vende të lira, drejtori Nebiu mendon se është si rezultat se mungon një strategji ndërinstitucionale e cila do t’i orientonte nxënësit në zgjedhjen e profesionit. Sipas tij, është koha që psikologët në shkolla fillore dhe ato të mesme, të hartojnë strategji për orientimin profesional. Kjo do të mundësonte që nxënësit varësisht aftësive të zgjedhin drejtimet që janë të nevojshme në treg.
Rritja e interesimit për drejtimet mjekësore vjen në kohën kur çdo vit e më shumë kemi ulje të numrit të nxënësve që mbarojnë shkollën fillore.