Alisan Ademi
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të caktuara që të mbahen me 15 korrik të vitit 2020, si duket do të janë në frymën e parregullsive të shumta. Këtij parashikimi i paraprin një lajm i cili pak para fillimit të fushatës zgjedhore u bë publik në medie:
“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli Vendim për formimin e Komisionit të përkohshëm për ndjekje të parregullsive të mundshme lidhur me kryerjen e veprave penale nga Kapitulli 16 “Vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit” nga Kodi penal dhe vepra të tjera penale të cilat mund të kryhen gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve, kumtoi sot Prokuroria publike, njofton MIA.
“Ngjarjet lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për më 15 korrik 2020, janë të interesit të përgjithshëm të opinionit, kështu që, është formuar komision i cili në mënyrë produktive do t’i ndjekë ngjarjet, në drejtim të mbrojtjes nga veprimet kriminale apo të tjera kundërligjore dhe veprim preventiv”, thuhet në kumtesë.
Për kryetar të Komisionit është caktuar Xhelal Bajrami, prokuror publik në Prokurorinë publike të RMV-së, ndërsa anëtarë të Komisionit janë prokurorë publikë nga prokuroritë e larta publike dhe Prokuroria themelore publike Shkup.”
Sipas këtij raportimi në medie dhe njoftimi, del që zyra për ankesa për parregullsi zgjedhore do të ekzistoje ndërsa me të do të kryesoje ish eksponenti i lartë i BDI-së, Xhelal Bajrami.
Opinioni në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Bajramin, e njeh si ish zëvendësin e Gordana Jankullovksës në kohën kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u etiketuan si terrorist islamik. Në pres konferencën e famshme ku iu bë gjyqi shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për terrorizëm islamik, ishte prezent edhe Xhelal Bajrami duke e vulosur burgosjen dhe përndjekjen e shqiptarëve si dhe etiketimin e tyre. Menjëherë pas asaj pres konference në medie u paraqit aksioni i policisë ku nënat dhe motrat tona me shami arrestoheshin në mënyrë barbare. I vetmi faj i atyre nënave dhe motrave tona me shami ishte se në pushtet ishin njerëz të paaftë të zgjedhur nga BDI-ja si lloji i tipit të Xhelal Bajramit i cili në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit 2020 do të vendos për parregullsitë eventuale zgjedhore.
Zgjedhja e Xhelal Bajramit në këtë detyrë të re si dhe zgjatja e orarit të votimit deri në ora 21, si duket është një paralajmërim nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim për vjedhjen e mundshme të zgjedhjeve. Arsyeja e një ndërmarrje të këtillë nga ana e BDI-së janë rezultatet e sondazheve të cilat si në baza ditore, javore e mujore, koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa po e nxjerrin si fituese të zgjedhjeve, ndërsa BDI-në këto sondazhe po e nxjerrin në opozitë.
Shkuarja e BDI-së në opozitë nënkupton shkapërderdhjen e kësaj partie përmes ndarjes në shumë fraksione. Prandaj BDI-ja po përdor të gjitha mekanizmat për t`i shmangur shkuarjes në opozitë.