ME SEBEP!
Pas festave të nëntorit!??
Tre figura të shquara atdhetarë denbabaden nga Tetova!
.., kjo shëmbëlltyrë e këtyre njerëzve prej “vatalinjësh”, duket bardh e zi, bardh e zi sepse është formuar shumë kohë më parë, asokohe kur këtejpari, fare pak kishte simbole Kuqezi! Njeriu me plis të bardhë, quhet Abdulla Jusufi, i cili në vitin 1968 në Gjyqin e Tetovës, hiç pa iu dridhë qerpiku, pranoi fajësinë karshi të bëmave të tij, në asnjë moment nuk e mohoi faktin se në shtëpinë e tij, me mjetet personale kishte shtypur flamuj kombëtarë. I dyti, quhet Rafi Halili, tre herë i dënuar politik dhe një herë i plagosur gjatë bastisjes së shtëpisë së tij! I treti, me kapelën e rrumbullakët quhet Mehmetriza Murtezani-‘GEGA’, të cilin komunistët u ngarkuan me faj të rëndë! Edhe axha Mehmetrizë, në Gjyqin popullor të Shkupit(1969), me plot gojë pranoi akuzën. Më kujtohet, asokohe kur Gega iu drejtua gjykatësit me një kërkesë: “Shoku gjykatës, në doni të vazhdojë seanca gjyqësore, hidhini jashtë dëshmitarët e rremë, ju nuk keni nevojë për pohimet e tyre, mos humbisni kohën tuaj! Unë jam organizatori i Demonstratave të Tetovës të motit 1968, dhe askush tjetër!”.., dhe gjykatësi, për një moment, pezulloi gjykimin! Pas disa ditësh, axhës Memetrizë, iu dha dënimi kapital, shtatë vjet heqje lirie!
Hë, “dosti im”, ti që dje në mbrëmje e lodhe simbolin deri në palcë, ti që e shndërrove në zvarranik, dhe që sot e harrove fare, ke gjë për t’i shtuar kësaj ‘meseleje’ të vërtetë!.., dhe nëse nuk e ke, të lus, mos ia shto rrënjët e paragjykimeve!
Fadil LUSHi





