Pjesa më e madhe e Maqedonisë është zgjuar këtë mëngjes nën mbulesë dëbore. Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe gjatë ditës, ndërsa në disa zona pritet të jenë më të dendura. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka lëshuar alarm të verdhë për reshje bore në të gjithë territorin e vendit.
Trashësia e borës, e matur në orën 07:00:
* Krushevë: 27 centimetra
* Tetovë: 10 centimetra
* Berovë: 5 centimetra
* Manastir: 5 centimetra
* Kriva Pallankë: 4 centimetra
* Shkup: 1 centimetër
Sot pritet mot i vranët, me reshje të herëpashershme lokale, kryesisht borë, ndërsa në zonat më të ulëta përgjatë Vardarit do të ketë reshje shiu dhe bore. Kah fundi i ditës, reshjet pritet të ndërpriten.
Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi verior, e cila në disa pjesë të luginës së Vardarit herë pas here do të jetë më e fuqishme.
Në Shkup pritet mot i vranët, me reshje të herëpashershme shiu dhe bore, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë deri në 2 gradë Celsius.
Ndërkohë, nga fillimi i javës së ardhshme pritet një valë e fortë e të ftohtit, me temperatura të mëngjesit që në disa zona mund të zbresin deri në -18 gradë Celsius.



