28 Nëntori u shënua në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut

Me flamuj shqiptarë, këngë, valle dhe aktivitete kulturore, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shënuan 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
”Për të kremtuar ditën e festës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë edhe Shkupi është veshur kuq e zi. Nga sheshi Skënderbeu në Shkup, qytetarët përcollën mesazhin me thirrje që gjuha, tradita dhe identiteti kombëtar të ruhet dhe të trashëgohet brez pas brezi”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.

“Sa më shumë dashuri dhe bashkim dhe porosia tua lëmë brezave të rinj”, tha një qytetar.

“Urime festa edhe për ju, shumë urime”, u shpreh një qytetare.

Në Çarshi të Shkupit në mënyrë simbolike shpërndaheshin molla të kuqe.
“Jemi duke bërë një aktivitet dhe duke shpërndarë molla të kuqe për festën e 28 nëntorit, dita e pavarësisë. Molla e kuqe e ka simbolin e kufirit të Shqipërisë deri tek molla e kuqe dhe sot shpërndajmë për festen e 28 nëntorit”, u shpreh një nxënëse.

Në Shkup, festa e 28 Nëntorit u shënua me atmosferë festive në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarë të shumtë u mblodhën për të festuar nën ngjyrat kuqezi.
Në Tetovë, 28 Nëntori u shënua me marshin “Flamuri na Bashkon”, ku qindra nxënës parakaluan drejt sheshit “Iliria”, duke përcjellë mesazhe festive përmes koreografive dhe programit artistik.
Festa e 28 Nëntorit u shënua edhe në Strugë, Kumanovë, Dibër, Çashkë, Krushevë e në Manastir, ku shqiptarët festuan nën ngjyrat kuqezi, me flamuj, këngë dhe valle tradicionale.
28 Nëntori është një nga datat më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve. Më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. /Alsat.mk