Me marsh mortor dhe qirinj të ndezur para Gjykatës Kushtetuese, punonjësit e kulturës në Maqedoninë e Veriut protestuan sot, duke “varrosur” simbolikisht të drejtat e fituara përmes Marrëveshjes Kolektive.
Protesta u organizua në ditën kur Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive në sektorin e kulturës.
Nga Sindikata e Kulturës shprehën shqetësimin se shfuqizimi eventual i marrëveshjes mund të rrezikojë të drejtat e mijëra punonjësve.
Pavarësisht dy kërkesave me shkrim drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e sindikatës ende nuk kanë marrë ftesë për të paraqitur argumentet e tyre.
Sindikata kërkon që vendimmarrja të shtyhet deri në zhvillimin e një debati publik me palët e interesuara.





