Kontrolle të detyrueshme për pensionistët invalidorë – kush nuk i plotëson kushtet, rrezikon të humbasë pensionin!

Kontrolle të detyrueshme mjekësore për përfituesit e pensioneve invalidore, rishikim i vendimeve për pensionim, digjitalizim i procedurave dhe rregulla të reja për stazhin e beneficuar – këto janë disa nga risitë që parashikohen me ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor.

Sipas ndryshimeve të propozuara, përfituesit e pensioneve invalidore do t’u nënshtrohen kontrolleve të detyrueshme mjekësore, më së hershmi një vit pas konstatimit të invaliditetit dhe maksimumi dy herë deri në moshën 65-vjeçare, me përjashtim të disa sëmundjeve.

Nëse përfituesi nuk paraqitet në kontrollin e detyrueshëm ose nuk i plotëson më kushtet për invaliditet, do ta humbasë të drejtën e pensionit.

Parashikohet gjithashtu formimi i një komisioni të posaçëm mjekësor për rishikimin e konstatimeve dhe vlerësimeve mbi bazën e të cilave është miratuar pensioni invalidor.

Pagesë e pensionit para vendimit përfundimtar

Projektligji parashikon digjitalizimin e plotë të procedurave administrative, si dhe mundësinë e pagesës së paradhënies së pensionit për personat që i plotësojnë kushtet për pensionim, por ende nuk kanë marrë vendimin përfundimtar.

Rregulla të reja për stazhin e beneficuar

Do të formohet një komision pesëanëtarësh për përcaktimin dhe rishikimin e vendeve të punës me stazh të beneficuar, si dhe një regjistër elektronik, në të cilin punëdhënësit do të jenë të detyruar të regjistrojnë të dhënat përkatëse.

Kushte të reja për pensionin familjar

Projektligji parashikon edhe zgjerimin e kategorive të përfituesve të pensionit familjar.

Në këtë kategori do të përfshihen edhe personat që kanë ushtruar detyrën prindërore dhe kanë qenë të përfshirë në sigurimin e detyrueshëm pensional dhe invalidor.

Ata do të mund të përfitojnë pension familjar nëse, pas përfundimit të sigurimit, kanë mbushur moshën 50-vjeçare, me kusht që detyra prindërore t’u ketë përfunduar pas moshës 45-vjeçare./Sloboden Peçat