Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së yllit të kinematografisë botërore

NIMFAT E DETIT SYNONIN TA PËRPLASNIN ODISEUN NË BRIGJET SHKËMBORE
Shkruan: Xhelal ZEJNELI
Pjesë nga intervista e Bekim Fehmiut, dhënë revistës “Përpjekja”, nr. 31, më 2 tetor 1981, në Beograd, organ i klubit me të njëjtin emër të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit.

Studentët shqiptarë në Beograd, kryesisht nga Kosova, kishin klubin e tyre, që quhej “Përpjekja”. Selia e tij ndodhej në Qytetin e Studentëve, në Beogradin e Ri. Klubi themeloi edhe revistën e vet, me të njëjtin emër. Në kohën e themelimit të revistës, kryetar i Këshillit Redaktues ishte absolventi i stomatologjisë, Jahja, ndërsa kryeredaktor i saj isha unë.

Në një mbledhje të redaksisë së revistës, njëri prej anëtarëve propozoi që të realizohej një intervistë me aktorin e famshëm Bekim Fehmiun. Natyrisht, propozimi u mirëprit. Intervistën duhej ta realizonte studentja Shqipe Malushi, anëtare e Këshillit Redaktues.

E merrja me mend se do ta kishte të vështirë ta takonte Bekimin. Prandaj, para se ajo të orvatej të kontaktonte me aktorin e madh të filmit, përpilova një letër, e cila, nëpërmjet personit kompetent në zyrën e Bekimit, duhej t’i dorëzohej atij.

Në letër pata shkruar se intervista do të botohej në numrin vijues të revistës “Përpjekja”, organ i klubit me të njëjtin emër të studentëve shqiptarë në Beograd. Pata shkruar se revista ishte mujore, se kishte përmbajtje kulturore dhe shkencore, se shpërndahej ndër studentët shqiptarë në Beograd, ndërsa një pjesë e tirazhit shpërndahej edhe në Kosovë; se në të botonin edhe krijues e studiues nga Prishtina; se intervista do të realizohej me pajisje teknike për incizim dhe xhirim; se, në rast nevoje, para botimit, do t’i nënshtrohej procesit të lekturimit dhe të redaktimit profesional; se do të përfshihej në dy faqe të revistës dhe do të shoqërohej me fotografi të caktuara.

Gjithashtu, pata theksuar se intervista, para botimit, do t’i dorëzohej të intervistuarit për autorizim; se pas saj qëndronte Këshilli Redaktues i revistës “Përpjekja”; se materiali i incizuar dhe i xhiruar do të depozitohej në arkivin e klubit dhe se vendin dhe kohën e realizimit të intervistës duhej t’i caktonte vetë Bekimi.

Në fund të letrës, në emër të Këshillit Redaktues, i shpreha respektin tim Bekimit, duke shënuar edhe numrin e telefonit të zyrës së redaksisë, me sugjerimin që të kishin mirësinë të na telefononin pas orës 18:00.

Pas disa ditësh, intervistuesja nisi përpjekjet për të kontaktuar me Bekimin. Ashtu siç e kisha parashikuar, nuk kishte mundur ta takonte. Ajo ishte takuar me bashkëshorten e Bekimit, Branka Petriçin, aktore e shquar me prejardhje kroate dhe serbe, e lindur më 1937 në Novi Vinodolski të Kroacisë.

Prej saj kishte mësuar se Bekimi ndodhej në SHBA dhe se mund të kthehej brenda një muaji. Për një revistë të studentëve shqiptarë, me shumë dëshirë do të gjente kohë për të dhënë intervistë. Sapo të kthehej, ajo do t’ia dorëzonte letrën.

Kaloi një muaj dhe nuk na u lajmërua askush, as nga zyra e Bekimit, as nga familja e tij. Kryetari i klubit, Jahja, më sugjeroi të ndërmerrja diçka në këtë drejtim.

– Do të presim edhe ca, – ia ktheva.

Ditën e dyzetë, rreth orës 18:00, ra zilja e telefonit në zyrën e redaksisë.

– Mirëmbrëma! Këtu familja e Bekim Fehmiut. Na duhet kryeredaktori i revistës studentore “Përpjekja”.

– Jam unë, – u përgjigja.

– Me kërkesën tuaj, e keni në lidhje Bekimin.

Gjatë bisedës, Bekimi më tha se, përkundër agjendës së ngjeshur, do të jepte me kënaqësi intervistë për një revistë të studentëve shqiptarë. Caktimin e kohës dhe të vendit të realizimit të saj na e la neve.

Duke marrë me mend se ai mund të nisej së shpejti diku në botë, i thashë që intervista të realizohej të nesërmen, në orën 17:00, në mjediset përkatëse të hotelit “Majestic”, në qendër të Beogradit.

Të nesërmen, në vendin dhe në kohën e caktuar, intervistuesja dhe ekipi i incizimit e i xhirimit realizuan intervistën. Po atë natë, materialin e incizuar e hodhëm në letër.

Shënim: Klubi apo shoqata e studentëve shqiptarë në Beograd, “Përpjekja”, është themeluar më 22 nëntor 1957. Themelues të tij ishin studentët shqiptarë, kryesisht nga Kosova, që studionin në Universitetin e Beogradit. Selia e klubit ndodhej në Qytetin e Studentëve, në Beogradin e Ri.

PJESË NGA INTERVISTA
Redaksia: Midis Sarajevës, Prizrenit, Prishtinës, Beogradit dhe botës, ku e shihni atdheun tuaj?

Bekimi: Prindërit i kam gjakovarë, kam lindur në Sarajevë, një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar në Shkodër, jam shkolluar në Prizren, kam studiuar në Beograd, karrierën si aktor e kam filluar në Teatrin Popullor të Prishtinës dhe kam xhiruar filma në disa vende të botës.

Megjithatë, atdheu im është çdo pëllëmbë e trojeve shqiptare në Gadishullin Ballkanik, ku flitet gjuha shqipe.

Rrethanat historike përcaktuan që romantikët arbëreshë veprat e tyre letrare t’i krijonin përtej detit, por gjithmonë me zemrën dhe sytë e drejtuar nga brigjet e Ilirisë. Edhe rilindësit shqiptarë të shekullit XIX e kryen misionin e tyre kombëtar, kulturor, letrar dhe politik, duke vepruar në disa prej qendrave të vendeve të Gadishullit.

Redaksia: I përkisni një brezi të shquar të intelektualëve shqiptarë, siç janë Ismail Kadareja, prof. Rexhep Qosja, Adem Demaçi, prof. Gazmend Zajmi dhe shumë të tjerë. Cili është roli i inteligjencies shqiptare sot?

Bekimi: Shkrimtarin e njohur, Ismail Kadarenë, kam pasur rastin ta takoj në një pritje të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, gjatë vizitës sime në Shqipëri, në vitin 1972.

Përkundër angazhimeve të shumta në fushën e filmit, çdo çast të lirë synoj ta shfrytëzoj për të përcjellë krijimtarinë letrare-artistike në gjuhën shqipe.

Jo vetëm brezi im i intelektualëve, që përmendët ju, por edhe brezat e rinj të inteligjencies shqiptare kanë një mision historik: që, me veprimtarinë e tyre krijuese, shkencore dhe studimore, të kontribuojnë që bota shqiptare të ecë në një hap me vendet më të përparuara të kontinentit.

Inteligjencia shqiptare arriti të krijojë institucionet kulturore, shkencore dhe arsimore të Kosovës. Me këtë, ajo dëshmoi se është në lartësinë e përgjegjësisë së saj historike. Misioni i saj vazhdon.

Redaksia: Po aktorët kosovarë të teatrit, përkatësisht të filmit?

Bekimi: Do të thosha se shqiptarët sikur janë të lindur për art dhe për aktrim. Jam më se i bindur se aktorët kosovarë të teatrit dhe të filmit zotërojnë talent dhe përgatitje të jashtëzakonshme.

Ata do të mund të realizonin role edhe në skenat teatrore dhe në qendrat kinematografike më prestigjioze të kontinentit dhe të SHBA-së.

Ne sikur na frymëzojnë Aleksandër Moisiu, arvanitasja e famshme Irena Papas dhe aktori i madh i kinematografisë amerikane në zhanrin e humorit, Xhon Belushi.

Hamleti shqiptar, Aleksandër Moisiu, interpretoi në skenat e Vjenës, Berlinit, Moskës, Shën-Petërburgut dhe në shumë skena të tjera të Evropës.

Redaksia: Protestat e studentëve shqiptarë në Prishtinë, të 11 dhe 26 marsit, i keni mbështetur publikisht. Si e shihni perspektivën e shqiptarëve?

Bekimi: Kam mbështetur publikisht jo vetëm demonstratat e studentëve shqiptarë të 11 dhe 26 marsit, por edhe protestat e mëdha popullore të 1 dhe 2 prillit të vitit 1981, që shpërthyen në mbarë Kosovën.

E gjithë bota e di se studentët janë faktori më i rëndësishëm i çdo populli dhe i çdo shoqërie. Ata janë promotorët e proceseve shoqërore.

Kam thënë dhe po e përsëris se, në një shoqëri apo në një vend ku nuk respektohen parimet themelore demokratike, kërkesat e studentëve apo ato popullore, qofshin sociale, kombëtare apo politike, nuk duhet të priten me bajoneta, tanke dhe aeroplanë.

Sa i përket pyetjes suaj për perspektivën e shqiptarëve, po ju them me bindje të palëkundur se tre milionë shqiptarë në Jugosllavi, që jetojnë në trojet e stërgjyshërve ilirë, me rininë që dita-ditës arsimohet, me inteligjencien që u prin proceseve historike dhe me vitalitetin që e shquan popullin tonë, do ta realizojnë idealin e madh të barazisë kombëtare, të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të emancipimit të gjithanshëm dhe të përparimit të vazhdueshëm.

Redaksia: Ju jeni një prej luftëtarëve më të mëdhenj të Luftës së Trojës. Odiseu, gjatë bredhjeve dhjetëvjeçare nëpër Mesdhe, është ndalur edhe në brigjet e Ilirisë. Cila është odiseada juaj në botën e filmit?

Bekimi: Shkrimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë, Franc Kafka, thotë: “Historia ime është histori e mbylljes së syve”.

Autori i Jozef K-së, forcave të padukshme të territ u ka bërë ballë, në rrugën artistike, me veprën e tij të madhe.

Në rrugën drejt Itakës, i biri i Laertit, Odiseu, u pengua jo vetëm nga Poseidoni, babai i ciklopit Polifem. Ai hasi edhe në rreziqe të tjera, siç ishin Kalipsoja, magjistarët dhe nimfat e detit, që synonin ta përplasnin në brigjet shkëmbore.

Përkundër stuhive, unë kurrë nuk jam gjunjëzuar para forcave satanike. Vazhdimisht i kam flakur ato në mënyrën time, tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt.

Redaksia: Gjatë karrierës suaj në kinematografi, për cilin prej roleve jeni ndier më krenar?

Bekimi: Në arenën ndërkombëtare, jam ndier krenar, në radhë të parë, për identitetin tim, të cilin jo vetëm që e kam ruajtur, por edhe e kam theksuar dhe afirmuar.

Në qendrat botërore të filmit mëtonin të më paraqisnin si aktor jugosllav. Menjëherë dhe në vazhdimësi kam reaguar, duke ua bërë të ditur producentëve dhe regjisorëve të botës se nuk jam jugosllav, por shqiptar nga Jugosllavia.

Ky, do të thosha, keqkuptim i qendrave botërore të filmit, shpejt u mënjanua. Ndaj, kudo që kam vajtur, jam prezantuar si shqiptar.

Për një kohë, në SHBA ka pasur paqartësi edhe për prejardhjen e aktorit komik Xhon Belushi, por erdhi një ditë kur e gjithë bota e filmit e kuptoi se ai ishte bir i një shqiptari, të emigruar në SHBA nga mesi i viteve ’30, nga rrethi i Korçës.

Aleksandër Moisiu, Xhon Belushi, Irena Papas dhe të tjerë, duke arritur majat më të larta të artit filmik, i kanë shërbyer njerëzimit. Rrjedhimisht, ata janë edhe krenaria e popullit shqiptar.

Redaksia: Çfarë porosie keni për studentët shqiptarë?

Bekimi: Një rilindës i madh yni, Naimi, ka thënë: “… dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë…”

Të studiojnë me përkushtim, të rrisin ndjenjën e përgjegjësisë, të aftësohen në fushat për të cilat janë përcaktuar, të kthehen në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, për të kryer me devotshmëri misionin historik të ngritjes së shoqërisë shqiptare, në rrugën plot peripeci drejt vlerave qytetëruese.

Shpejt pas intervistës së Bekim Fehmiut, revista “Përpjekja”, me një aktvendim të organeve serbe, u ndalua.

Nuk vonoi shumë dhe, me një aktvendim tjetër të po atij organi serb, u mbyll edhe klubi i studentëve shqiptarë “Përpjekja”, i themeluar në vitin e largët 1959.

Nacionalizmi serb, thelbi i të cilit ishte antishqiptarizmi, po merrte hov.