BDI-Çair: Çairi në errësirë, këshilltarja Lejla Emrullahu kërkon ndërhyrje urgjente: “Ndriçimi publik është çështje sigurie për qytetarët!”

Gjendja e ndriçimit publik në Komunën e Çairit është ngritur si shqetësim në mbledhjen e Këshillit të Komunës, ku këshilltarja e BDI-së, Lejla Emrullahu, ka kërkuar vëmendje dhe ndërhyrje urgjente nga autoritetet komunale.

Emrullahu ka theksuar se ndriçimi publik nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje infrastrukturore, por para së gjithash si një element i rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Sipas shqetësimit të ngritur nga këshilltarja, gjendja aktuale e ndriçimit në pjesë të komunës kërkon reagim konkret dhe zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që qytetarët të mos përballen me rrugë dhe hapësira publike të pandriçuara.

BDI-Çair kërkon që komuna ta trajtojë këtë çështje me prioritet, duke ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e ndriçimit publik.

“Çairi nuk guxon të mbetet në errësirë!”, është mesazhi që shoqëron kërkesën për ndërhyrje urgjente.

Mbetet të shihet se kur institucionet komunale do t’i përgjigjen këtij shqetësimi dhe nëse kërkesa e ngritur në Këshill do të pasohet me veprime konkrete në terren.