Shtatë investime të huaja mbi 150 milionë euro, paralajmërohen qindra vende të reja pune!

Drejtori i TIRZ-it, Goce Dimovski, ka paralajmëruar ardhjen e shtatë investimeve të reja të huaja në Maqedoninë e Veriut, me vlerë totale mbi 150 milionë euro.

Sipas tij, kompanitë kanë marrë tashmë vendimet për investim, ndërsa shumica janë korporata shumëkombëshe me përvojë të gjatë në tregun ndërkombëtar.

Njëra prej kompanive, me histori mbi 200-vjeçare, planifikon të investojë rreth 50 milionë euro dhe të punësojë mbi 200 persona në fazën e parë. Një tjetër kompani evropiane, e themeluar në vitin 1850, planifikon investim prej 30 milionë eurosh dhe mbi 150 punësime. Ndërsa një kompani tjetër e njohur ndërkombëtarisht pritet të investojë rreth 70 milionë euro dhe të punësojë 400 persona.

Investimet parashikohen kryesisht në kapacitete të reja prodhuese në zonat industriale të Shkupit. Emrat e kompanive dhe hollësitë e tjera pritet të bëhen publike pas përfundimit të procedurave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse.

Lajmin e ka bërë të ditur Dimovski në një intervistë për televizionin Alfa.