Elez Elezi, vëllai i dëshmorit Imri Elezi, në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka rrëfyer për përvojën e tij në Postën e Maqedonisë, ku nga një pozitë udhëheqëse është transferuar në një vend pune të thjeshtë.
Duke iu përgjigjur gazetarit Sefer Tahiri se çfarë pozicioni mban aktualisht në Postën që ndodhet te stacioni hekurudhor dhe ai i autobusëve në Shkup, Elezi tha se tani është vetëm bashkëpunëtor në shërbimin e shpejtë.
Ai tregoi se më herët kishte punuar rreth tetë vite në shërbimin e filatelisë dhe më pas rreth shtatë vite në një shërbim tjetër, ku, siç tha, kishte dhënë kontributin maksimal dhe e kishte kryer punën me ndershmëri të plotë.
“Askush nuk mund të më akuzojë për asgjë. I kam dhënë hakun, siç thotë populli”, u shpreh Elezi, duke shtuar se edhe sot ndihet krenar për punën e bërë.
Ndërkaq, gazetari Sefer Tahiri e cilësoi rastin si një shembull të dukurisë që, sipas tij, i përcjell shqiptarët, ku përkatësia politike përcakton vendin e punës, e jo aftësitë dhe cilësitë profesionale.



