E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, por ritmi i anëtarësimit do të varet nga rezultatet konkrete të reformave në secilin shtet, thuhet në deklaratën e miratuar në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
BE-ja kërkon përshpejtimin e reformave në sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve demokratike, respektimin e të drejtave të pakicave dhe lirisë së mediave, si dhe kultivimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Brukseli u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë përparim konkret në normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa nga vendet e rajonit kërkoi harmonizimin e politikave të jashtme, të sigurisë dhe të vizave me ato të BE-së.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Planit të Rritjes, me vlerë deri në gjashtë miliardë euro, i cili, në varësi të realizimit të reformave, mundëson integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian.



