Kapet kontrabandë e madhe në “Bogorodicë”: Sekuestrohen 5.000 steka cigare me vlerë 146 mijë euro!

Një shtetas serb dyshohet se ka tentuar të kontrabandojë 5.000 steka cigare nëpërmjet vendkalimit kufitar “Bogorodicë”, me vlerë të përgjithshme prej rreth nëntë milionë denarësh.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, pronar i një kompanie transporti në Serbi, kishte deklaruar se me kamionin e tij transportonte granula polipropileni.

Mirëpo, gjatë kontrollit doganor, në rimorkion e kamionit janë zbuluar 100 kuti kartoni me cigare të padeklaruara të markave “Marlboro”, “Davidoff” dhe “Winston”.

E gjithë sasia e cigareve është sekuestruar nga autoritetet doganore.

Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë ka iniciuar procedurë penale për veprën “Kontrabandë”, ndërsa për të dyshuarin ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.