Zyra për Çështjet e Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës dhe Banka e Eksport-Importit e Kinës nënshkruan të hënën në Pekin një marrëveshje për të zgjeruar mbështetjen financiare për bizneset tajvaneze, si dhe për të thelluar integrimin ekonomik mes dy brigjeve të Ngushticës së Tajvanit, gjatë pesë viteve të ardhshme.
Sipas marrëveshjes, banka do të zgjerojë shërbimet e saj financiare dhe do të ofrojë mbështetje në disa fusha, përfshirë ndihmën për bizneset tajvaneze që të krijojnë dhe zgjerojnë aktivitetin e tyre në pjesën kontinentale të Kinës, zhvillimin e parqeve industriale me investime tajvaneze, lehtësimin e investimeve të kompanive të pjesës kontinentale në Tajvan, nxitjen e tregtisë mes dy brigjeve të ngushticës, si dhe mbështetjen e ndërmarrjeve me investime tajvaneze në pjesën kontinentale, për të marrë pjesë në nismën “Një brez, një rrugë”.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Pekin, Song Tao, drejtues i Zyrës së Punës për Tajvanin pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe i Zyrës për Çështjet e Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit, u shpreh se marrëveshja përbën një masë konkrete për të ndihmuar bizneset tajvaneze të kapërcejnë vështirësitë e financimit dhe të shfrytëzojnë mundësitë e zhvillimit gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026–2030).
Song shprehu shpresën që bizneset tajvaneze të ruajnë besimin, të zgjerojnë praninë e tyre në pjesën kontinentale të Kinës dhe të marrin pjesë aktivisht në modernizimin kinez dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy brigjeve të Ngushticës së Tajvanit.



