Shasivari i përgjigjet Ahmetit: Çështja e jurisprudencës të shqyrtohet nga ekspertët evropianë

Ndaj letrës së Ahmetit ka reaguar ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari i cili thotë se çështja e provimit të jurisprudencës prej vitesh ka mbetur e pazgjidhur në Ministrinë e Drejtësisë, pavarësisht se prej vitit 2001, ka pasur 8 ministra shqiptarët nga radhët e BDI-së.

Shasivari porositë Ahmetin që në vend që ta shpallë paraprakisht këtë iniciativë si degradim, tradhti apo manovër politike, lejoni që argumentet juridike të shqyrtohen nga institucionet kompetente dhe ekspertët evropianë të drejtësisë. Sipas Shasivarit, nuk mundet që çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje sistemore të shpallet automatikisht si sulm ndaj të drejtave gjuhësore.

Shasivari thotë se nuk do të lejojë që kjo çështje të bëhet objekt i garës partiake e as garë se kush ka kontribuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe as se kush ka më shumë të drejtë politike për të folur në emër të tyre. Shasivari rikujton Ahmetin se të gjitha vërejtjet, mund t’ua thotë përfaqësuesve të Komisionit të Venecias gjatë takimit më 27 nëntor./Alsat.mk.