Me 2,12 promilë alkool në gjak, shkakton dy aksidente dhe ikën nga vendngjarja

Një 65-vjeçar nga qyteti i Vinicës është arrestuar pasi, në gjendje të rëndë të dehur, shkaktoi dy aksidente trafiku dhe u largua nga vendngjarja në të dyja rastet.

Fillimisht, në fshatin Jakimovë, ai goditi me automjetin e tij “Ford” një veturë të parkuar. Më pas, duke vazhduar drejtimin, u përplas me sinjalistikën rrugore dhe një mur betoni, për t’u larguar sërish.

Policia e lokalizoi dhe e arrestoi më 21 nëntor, rreth orës 22:55. Alkotesti tregoi 2,12 promilë alkool në gjak.

Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa ndaj drejtuesit do të parashtrohet kallëzim përkatës.