Gjorgjievski: Gjysmë milioni euro kursime në karburant, dyshime për abuzime në të kaluarën në JSP

Kursime prej rreth 500 mijë eurosh në karburant, ndonëse në qarkullim janë mbi 200 autobusë, ka realizuar këtë vit Ndërmarrja Publike e Transportit (JSP) në Shkup.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke ngritur dyshime se në të kaluarën dikush kishte përfituar padrejtësisht nga shpenzimet për naftë.

Sipas tij, kur mori drejtimin e qytetit, JSP kishte 148 autobusë funksionalë, ndërsa sot në linjat urbane qarkullojnë mbi 200.

Gjorgjievski tha se për të parandaluar keqpërdorimet janë vendosur pajisje GPS në autobusë dhe automjetet e ndërmarrjeve publike, si dhe sonda për matjen e konsumit të karburantit.

Ai paralajmëroi edhe ardhjen e 100 autobusëve të rinj ekologjikë, të cilët pritet të përmirësojnë transportin publik në Shkup.