22 Nëntori – Alfabeti dhe Gjuha shqipe, themeli i identitetit dhe i vazhdimësisë kombëtare

Halil KRASNIQI

22 Nëntori është një nga datat më të rëndësishme të kujtesës sonë historike dhe kombëtare. Është dita kur nderojmë gjuhën shqipe, alfabetin tonë dhe mendjet e ndritura që, përmes dijes, vizionit dhe atdhedashurisë, i dhanë kombit një nga themelet më të rëndësishme të unitetit të tij.

Më 22 nëntor 1908, në Manastir, përfundoi Kongresi i Alfabetit, një ngjarje historike që shënoi një kthesë në rrugëtimin kombëtar të shqiptarëve. Aty, intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë, përtej dallimeve krahinore, fetare dhe politike, gjetën një pikë të përbashkët për alfabetin që do të bashkonte brezat dhe do të forconte vetëdijen kombëtare.

Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është kujtesa jonë historike, dëshmia e rrënjëve tona dhe bartësja e kulturës, traditës, zakoneve dhe ndërgjegjes kombëtare. Përmes saj kemi ruajtur identitetin dhe vazhdimësinë tonë historike, edhe në periudhat më të vështira.

Një popull mund të humbasë shumëçka gjatë historisë, por për sa kohë ruan gjuhën, ruan një nga shtyllat themelore të ekzistencës së tij.

Kjo datë ka edhe një rëndësi të veçantë institucionale për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mirënjohje dhe respekt për kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi, për kontributin dhe angazhimin e tij politik, që 22 Nëntori të institucionalizohej me ligj si ditë feste zyrtare për shqiptarët në këtë shtet.

Gjatë asaj periudhe qeverisëse, në vitin 2007, u dëshmua se identiteti kombëtar mbrohet jo vetëm përmes deklaratave, por edhe përmes vendimeve politike, veprimeve institucionale dhe njohjes së vlerave historike e kulturore të një populli.

Ky është një shembull se politika, kur udhëhiqet nga vizioni dhe përgjegjësia kombëtare, mund të lërë gjurmë që i tejkalojnë mandatet dhe përkatësitë partiake.

Urime 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Urime të gjithë shqiptarëve, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë diasporën!

Ta ruajmë gjuhën, ta kultivojmë dijen dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm këtë pasuri të çmuar. Sepse gjuha është rrënja që na lidh me të kaluarën, identiteti që na përcakton në të tashmen dhe ura që na bashkon me të ardhmen.

Një komb që e ruan gjuhën, ruan kujtesën historike, identitetin dhe dinjitetin e vet…