Liderët evropianë kanë reaguar me një qëndrim të përbashkët ndaj përpjekjes së presidentit rus, Vladimir Putin, për të hapur një kanal të ri negociatash në Moskë.
Ftesa e tij erdhi pikërisht në momentin kur përfaqësuesit evropianë po përgatiteshin të takoheshin në Berlin në kuadër të koalicionit të të gatshmëve.
Synimi i Putinit ishte të rikthente përçarjet mes vendeve evropiane dhe të dobësonte mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Por përgjigjja e Evropës ishte e prerë: nuk do të ketë negociata që anashkalojnë Ukrainën.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa është e gatshme të diskutojë me Rusinë, por negociatat duhet të zhvillohen në një format që përfshin Ukrainën, Rusinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai theksoi se kushtet evropiane përfshijnë një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit, respektimin e së drejtës së Ukrainës për të ndjekur rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe mbështetjen për rindërtimin e vendit.
Në këmbim, sipas Merz, Evropa mund të shqyrtojë heqjen graduale dhe të kushtëzuar të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron hodhi në tryezë edhe çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke deklaruar se përballë qëndrimeve maksimaliste të Moskës ka ardhur koha që kjo mundësi të rikthehet në diskutim.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përcolli një mesazh të qartë: vetëm përmes forcës dhe vendosmërisë mund të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
Qëndrimi i përbashkët evropian u vu re edhe nga i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili pranoi se Evropa është e fortë dhe e bashkuar në mbështetje të Ukrainës.
Mesazhi i Berlinit për Moskën duket i qartë: Evropa është e gatshme për diplomaci, por jo për një marrëveshje që vendos të ardhmen e Ukrainës pa vetë ukrainasit.
/tvklan.al



