Alarm për prindërit në Maqedoni: Grupi i rrezikshëm “764” shënjestron fëmijët në internet, i shantazhon dhe i nxit drejt vetëlëndimit!

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar një paralajmërim serioz për prindërit, kujdestarët dhe mësimdhënësit lidhur me grupin e rrezikshëm ndërkombëtar “764”, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët dhe adoleshentët përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online.

Sipas MPB-së, pjesëtarët e këtij rrjeti paraqiten si bashkëmoshatarë ose persona që kërkojnë miqësi, duke kontaktuar fëmijët përmes platformave si TikTok, Instagram, Snapchat, Telegram, Discord dhe Roblox.

Pasi fitojnë besimin e viktimave, ata përdorin kërcënime dhe shantazhe, duke i detyruar të dërgojnë fotografi intime, të vetëlëndohen apo të kryejnë veprime të tjera të rrezikshme, deri në pasoja që mund t’u kërcënojnë jetën.

MPB u bën thirrje prindërve të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj ndryshimeve të papritura në sjelljen e fëmijëve, izolimit, frikës, fshehjes së komunikimeve në telefon dhe shenjave të pashpjegueshme të lëndimeve.

Autoritetet këshillojnë komunikim të hapur me fëmijët, mbikëqyrje të kujdesshme të aktiviteteve online dhe raportim të menjëhershëm të çdo kërcënimi apo shantazhi.

Rastet e dyshimta mund të denoncohen në adresën zyrtare: [email protected].

MPB kërkon që prindërit të ruajnë mesazhet kërcënuese dhe provat e tjera, por të mos shpërndajnë materiale intime që përfshijnë të mitur.