Tetovë: Trefish më të sëmurë me grip se vitin e kaluar! Mjeku Ismaili: Duhet shmangur mjekimi kokë më vete

Screenshot

Numri i të sëmurëve nga gripi sezonal në këtë periudhë kohore është tri herë më i lartë se në të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar në Tetovë. Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se kanë dhënë një mijë vaksina kundër gripit dhe të njëjtat i kanë pranuar personat mbi moshën 65-vjeçare.

“Në qendrën për shëndet publik ka të paraqitur 199 pacientë të paraqitur të sëmurë me grip që është tre herë më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kemi pasur 65 pacientë. Ndërsa vaksina për grip kemi pasur donacion nga ana e ministrisë një mijë copa dhe të njëjtat janë harxhuar dhe jemi në fazën që presin të arrijnë vaksinat e reja”, tha Suzana Subasiç – infektologe

 

Ndërsa specialisti i mjekësisë familjare, Bekim Ismaili, thotë se numri i pacientëve që ankohen nga gripi është shtuar dukshëm, por ai bën apel që pacientët të mos marrin antibiotikë dhe të pinë sa më shumë lëngje, ndërsa nëse gjendja përkeqësohet, duhet të paraqiten te mjeku amë.

“Asnjëherë nuk duhet pacientët të fillojnë të marrin terapi më vete, veçanërisht të shmangin antibiotikët, pasi që virozat sezonale, vetë fjala virus do të thotë nuk është e shkaktuar nga bakteria, pra duhet t’i shmangin antibiotikët, mos i marrin kokë më vete antibiotikët. Fillimisht fillojnë me marrjen e lëngjeve, fillojnë me antipiretikë dhe nëse shohin për një-dy ditë se gjendja e tyre shëndetësore përkeqësohet, atëherë sigurisht se duhet të paraqiten te mjekët e tyre amë, qofshin ato që e kanë tek mjekët për fëmijë apo për të rritur”, th Bekim Ismaili – mjek i përgjithshëm:

Ndërkohë që Qendra për Shëndet Publik pret arritjen e dozave të reja të vaksinave, mjekët ritheksojnë se kujdesi i hershëm, hidratimi dhe shmangia e mjekimit vetjak mbeten të rëndësishme për të përballuar më lehtë këtë valë të gripit sezonal.