Një biznesmen grek, Avraam-Minos Mojzis, anëtar i bordit drejtues të kompanisë së industrisë së mbrojtjes „Intracom Defense“, dyshohet se mund të ketë qenë objektivi i një atentati të planifikuar nga një rrjet i lidhur me struktura iraniane.
Identiteti i tij u publikua nga televizioni shqiptar „Top Channel“, ndërsa lajmin e raportuan edhe mediat greke, përfshirë „Kathimerini“. Megjithatë, informacioni ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Policia greke deklaroi se nuk e di ende se kush ishte objektivi konkret i planit.
Mojzis, ish-president i Komunitetit Hebraik në Athinë, që nga janari i vitit 2025 është anëtar joekzekutiv i bordit të „Intracom Defense“, kompani në pronësi shumicë të gjigantit shtetëror izraelit „Israel Aerospace Industries“.
Sipas informacioneve të deritanishme, plani dyshohet se ishte organizuar nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili pretendohet se kishte kontakte me persona të lidhur me shërbimet iraniane të inteligjencës. Në rast përmendet edhe emri i Naži Sharifi Zindashtit, një figurë e njohur e krimit iranian, e kërkuar nga autoritetet amerikane.
Në një operacion të përbashkët të shërbimeve maqedonase dhe greke u arrestuan pesë persona. Gjatë kontrolleve u sekuestruan armë, municion, pajisje elektronike, shënime dhe një skicë me një lokacion të shënuar.
Ndërkohë, Ambasada iraniane në Athinë i hodhi poshtë akuzat për përfshirjen e personave të lidhur me Teheranin, duke i cilësuar ato si të pabazuara.





