Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kapur deri tani 96 krerë gjedhë që lëviznin të pakontrolluara në Kriva Pallankë, ndërsa problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Nga Agjencia thonë se aksioni po pengohet nga terreni i vështirë dhe ndërhyrjet e ish-pronarëve të kafshëve.
Ndërkohë, kryetari i komunës, Sashko Mitovski, ka ngritur disa kallëzime penale për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe moszbatim të vendimeve për konfiskimin e bagëtive.
Sipas tij, qytetarët prej vitesh pësojnë dëme materiale, ndërsa vendimet për konfiskim, të miratuara më shumë se dy vjet më parë, ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Autoritetet po kërkojnë zgjidhje të përhershme për problemin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e kafshëve./ MIA





