Incident tronditës në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup: Foshnjës dyditëshe i pritet një pjesë e gishtit me gërshërë!

Një foshnje vetëm dy ditëshe raportohet se ka pësuar lëndim në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, ku me gërshërë i është prerë një pjesë e gishtit.

Sipas raportimit të gazetës Sloboden Peçat, rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe kujdesin ndaj të porsalindurve.

Nga Klinika kanë njoftuar se po hetojnë rrethanat e incidentit dhe kanë paralajmëruar masa më të rrepta ndaj personave përgjegjës, nëse konstatohen shkelje.

Pritet që hetimi i brendshëm të sqarojë se si ka ndodhur incidenti dhe nëse janë respektuar protokollet e kujdesit shëndetësor.