Zyra Shtetërore e Auditimit kreu një auditim të sistemeve të informacionit si auditim i performancës me temën “Implementimi i masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin IT të Agjencisë së Punësimit”, me qëllim që të përgjigjet në pyetjen: “A është implementimi i masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin IT të Agjencisë së Punësimit efektiv në sigurimin e mbrojtjes së duhur të informacionit dhe resurseve IT?”
Me auditimin e kryer, u mbulua periudha nga viti 2021 deri në 2024, dhe u arrit bindja e arsyeshme se implementimi i masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin IT të Agjencisë së Punësimit ka dobësi që rrezikojnë nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes efektive të informacionit dhe resurseve IT.
Në pjesën e menaxhimit të IT-së, auditimi konstatoi nevojën për përmirësim të planifikimit strategjik, të politikave dhe procedurave të brendshme, si dhe forcim të kapaciteteve njerëzore dhe teknike për menaxhimin e IT-së dhe sigurisë së informacionit. Nevojitet një qasje sistematike ndaj zhvillimit të resurseve IT, përmirësim i vazhdueshëm i njohurive dhe aftësive të punonjësve dhe vendosja e mekanizmave të duhur për menaxhimin e risqeve të sigurisë së informacionit.
U konstatua kapacitet i pamjaftueshëm institucional për menaxhimin e teknologjisë së informacionit. Nga gjithsej shtatë pozicione të sistematizuara në Sektorin qendror të Informatikës, janë plotësuar vetëm dy, pra 28,57%.
Në pjesën e rritjes së njohurive dhe aftësive të punonjësve, në tre vitet e fundit nuk janë realizuar trajnime për kadrot IT, dhe nuk ekziston as program i vendosur dhe i dokumentuar trajnimi i bazuar në rolet dhe nevojat e punonjësve.
Kapacitetet e kufizuara njerëzore dhe mungesa e përmirësimit të vazhdueshëm të njohurive paraqesin sfidë për menaxhimin në kohë dhe sistematik të IT-së dhe sigurisë së informacionit.
Agjencia përdor një sistem elektronik të integruar për menaxhimin e shërbimeve të punësimit, i cili mbështet disa procese të lidhura me evidencat, ndërmjetësimin, masat aktive dhe pagesën e kompensimeve. Infrastruktura IT mbështet punën e lokacionit qendror dhe 29 qendrave të punësimit në të gjithë vendin.
Duke pasur parasysh rëndësinë e sistemit për sigurimin e shërbimeve në kompetencë të Agjencisë, me auditimin u konstatua nevoja për përmirësim të investimeve në resurse IT dhe sigurimin e mirëmbajtjes së vazhdueshme të sistemeve.
Në periudhën 2020–2025, në Agjenci janë realizuar disa prokurime të lidhura me infrastrukturën IT, sistemet e sigurisë dhe shërbimet e komunikimit. Vlera e përgjithshme e kontratave të realizuara dhe aktuale të mbuluara me analizën është 171.231 mijë denarë, ose 2,78 milionë euro. Pavarësisht investimeve dhe prokurimeve të realizuara, auditimi konstatoi se ekzistojnë nevoja për përmirësim shtesë të resurseve IT dhe sigurimin e vazhdimësisë në mirëmbajtjen e tyre.
Në periudhën e analizuar, sistemi për 293 ditë, ose 15,7% të periudhës së mbuluar me analizën e kontratave për mirëmbajtje preventive dhe adaptive, nuk ka qenë i mbuluar me kontratë mirëmbajtjeje.
U konstatuan dobësi në menaxhimin e të dhënave personale, aksesit të përdoruesve dhe sigurisë së rrjetit, si dhe nevoja për përmirësim të procedurave dhe kontrolleve për menaxhimin e aksesit në resurset informative.
Në pjesën e mbrojtjes së të dhënave personale, u konstatua nevoja për përmirësim të mekanizmave të ndjekjes dhe kontrollit të aksesit, si dhe të procedurave për ruajtje, arkivim dhe fshirje të të dhënave në përputhje me afatet ligjore.
U konstatua nevoja për forcim të mekanizmave të kopjimit rezervë dhe rikuperimit të të dhënave, si dhe vendosjen dhe testimin e rregullt të planeve për vazhdimësinë e punës. Testimi i rregullt i mundësisë së rikuperimit të të dhënave dhe vendosja e procedurave të duhura janë të rëndësishme për sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve IT dhe uljen e risqeve në rast të ndërprerjes ose ngjarjes së paparashikuar.
Gjithashtu, nevojitet përmirësim i kushteve për mbrojtjen fizike të infrastrukturës IT dhe sigurimi i masave të duhura për mbrojtjen dhe funksionimin e pandërprerë të pajisjeve IT.
Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, janë dhënë rekomandime për forcimin e kapaciteteve IT dhe menaxhimit të IT-së, përmirësimin e kontrolleve dhe procedurave të sigurisë, si dhe përmirësimin e mekanizmave të kopjimit rezervë, rikuperimit të të dhënave dhe vazhdimësisë së punës. Realizimi i rekomandimeve duhet të kontribuojë në menaxhim më efektiv të risqeve IT dhe sigurimin e një niveli më të lartë mbrojtjeje, stabiliteti dhe vazhdimësie të sistemit informativ të Agjencisë.
Më datën 13.11.2026, drejtori i Agjencisë ka dërguar një letër “Dërgimi i informacioneve për masat e ndërmarra nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas Raportit Përfundimtar”, e regjistruar me numër 13 – 1044/7 nga data 05.11.2026, me të cilën njofton për shkallën e masave të ndërmarra sipas rekomandimeve të dhëna, dhe ajo është bashkëngjitur këtij komunikimi.





