MPB-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj 31-vjeçarit nga Ohri, i cili dyshohet se e rrahu brutalisht të dashurën e tij 26-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Gjykata nuk ka caktuar paraburgim, por masa kujdesi ndaj të dyshuarit.
Sektori për Punë të Brendshme në Ohër ka ngritur kallëzim penal ndaj K.K. (31), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „Lëndim i rëndë trupor“, sipas nenit 131, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 02:00, pas një mosmarrëveshjeje që fillimisht kishte nisur në shtëpinë e të dyshuarit dhe më pas kishte vazhduar në automjetin e tij.
Gjatë vozitjes, 31-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij 26-vjeçare nga rajoni i Ohrit. Edhe pasi e kishte ndaluar automjetin, ai kishte vazhduar sulmin, me ç’rast vajza kishte humbur vetëdijen.
E dëmtuara fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër dhe më pas në spitalin „Shën Erazmo“, ku mjekët i kishin konstatuar lëndime të rënda trupore.
Policia e kishte arrestuar të dyshuarin në orën 05:05, menjëherë pas ngjarjes, ndërsa pas kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike, Gjykata Themelore në Ohër i ka shqiptuar masa kujdesi.
Në lidhje me rastin është arrestuar edhe babai i vajzës.
MPB-ja njofton se nëna e të dyshuarit, 51-vjeçare nga Ohri, më 15 nëntor kishte denoncuar në polici se babai 49-vjeçar i vajzës i kishte drejtuar kërcënime djalit të saj dhe gjithë familjes, përmes telefonit celular.
Pas denoncimit, edhe babai i vajzës është privuar nga liria në orën 13:20 dhe është mbajtur në stacion policor. Kundër tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa detajet e reja të bëra publike nga MPB-ja kanë nxjerrë në pah edhe përplasjen mes dy familjeve pas ngjarjes.





