Mbi 1.000 lopë „pushtojnë” Kriva Pallankën: Shkatërrojnë prona dhe rrezikojnë sigurinë e banorëve!

Mbi 1.000 krerë lopë lëvizin të pakontrolluara nëpër Kriva Pallankë dhe fshatrat përreth, duke shkatërruar tokat bujqësore, kopshtet dhe pemishtet, si dhe duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe komunikacionin.

Për këtë problem të pazakontë në Maqedoninë e Veriut ka raportuar edhe agjencia e njohur amerikane e lajmeve, Associated Press (AP).

Banorët ankohen për dëme të mëdha materiale. Njëri prej tyre, Lazo Stamenkovski, ka deklaruar se bagëtitë ia kanë shkatërruar më shumë se 150 pemë frutore.

Kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, paralajmëron se situata po bëhet gjithnjë e më serioze. Sipas tij, numri i lopë është rritur nga rreth 400 në mbi 1.000 brenda katër vjetësh.

Ai i ka kërkuar Qeverisë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë, pasi komuna nuk ka mekanizma ligjorë për ta zgjidhur vetë problemin.

Shqetësim shtesë paraqesin edhe rastet e ngordhjes së gjedheve pranë burimeve kryesore të furnizimit me ujë.

Edhe pse në vitin 2024 ishte miratuar urdhër për konfiskimin e bagëtive nga tre pronarët e tyre, vendimi ende nuk është zbatuar.

Problemi me lëvizjen e pakontrolluar të bagëtive në Kriva Pallankë po shndërrohet në një kërcënim serioz për pronat, sigurinë dhe jetën e përditshme të banorëve.