Përshkallëzohet përplasja për Alta Bankën: Filipçe paralajmëron kallëzime penale dhe hetim të parave të qytetarëve!

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka paralajmëruar kallëzime penale lidhur me rastin “Alta Banka”, duke kërkuar hetim të plotë për llogaritë bankare, transaksionet financiare dhe origjinën e kapitalit.

Përmes një reagimi në Facebook, Filipçe akuzoi pushtetin se po përpiqet ta fshehë rastin dhe të shmangë përgjegjësinë. Ai kërkoi të hetohen edhe transferimet e mjeteve të qytetarëve dhe ndërmarrjeve publike, si dhe lidhjet e pretenduara me persona të afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“LSDM do të dorëzojë kallëzime penale për hyrjen e asaj që ne e konsiderojmë lavatriçe të parave të Vuçiqit, për presionet, llogaritë dhe transferimet”, deklaroi Filipçe.

Ai i cilësoi kallëzimet e mëparshme kundër përfaqësuesve të opozitës si përpjekje për presion politik nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Sllaveski.

Megjithatë, LSDM ende nuk ka bërë të ditur emrat e personave ndaj të cilëve do të dorëzohen kallëzimet, ndërsa pretendimet për pastrim parash dhe lidhje të paligjshme financiare mbeten të paprovuara.