Babai u nis me gomone, djali arriti në Parlamentin Evropian – historia e shqiptarit që emigroi dy herë drejt një jete më të mirë

 

Eriseld Zeneli mbërriti në Itali pa i mbushur ende tre vjeç, pasi familja e tij ishte larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Ai u rrit në zonën e Bolonjës, ku studioi dhe punoi për të ndërtuar të ardhmen e tij.

Meqë familja nuk kishte mundësi t’ia financonte studimet universitare, Eriseldit iu desh të punonte dhe të kursente për të realizuar ëndrrën e tij. Më pas përfundoi studimet dhe mori edhe diplomën master në Psikologji Organizative. Për disa vite punoi si konduktor në trenat e shpejtësisë së lartë Frecciarossa.

Por ambiciet e tij nuk përfunduan këtu.

Në vitin 2022 aplikoi për një stazh në Parlamentin Europian. Pas shtatë muajsh, iu ofrua një pozicion i përhershëm pune. Sot jeton dhe punon në Luksemburg, ku është përgjegjës për personelin në Parlamentin Europian.

Nga djali i një familjeje emigrantësh, që nisi gjithçka nga zero, te një pozicion pune në institucionet europiane – kjo është historia e Eriseld Zenelit.

Një rrugëtim që dëshmon se prejardhja nuk përcakton kufijtë e ëndrrave dhe se puna, këmbëngulja dhe arsimimi mund të hapin dyer që dikur dukeshin të paarritshme.