Vdes në spital sulmuesi i Krakovit: vrau gjashtë persona, plagosi edhe 15 të tjerë

Sulmuesi 24-vjeçar që të shtunën kreu një masakër në qytetin polak të Krakovit, ka vdekur sot në mëngjes në spital, konfirmoi policia polake.
Ai ishte në gjendje kritike pasi u qëllua nga policia gjatë ndërhyrjes për ndalimin e sulmit. Pavarësisht disa operacioneve, mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.
Ngjarja tragjike ndodhi më 7 nëntor, kur 24-vjeçari hyri me automjet në sheshin kryesor të Krakovit dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve të rastësishëm. Gjashtë persona humbën jetën, mes tyre katër shtetas polakë, një britanik dhe një austriake, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur.
Pas masakrës, në shtëpinë e familjes së sulmuesit, në qytetin Ostruvjec Shvientokshiski, u gjetën të pajetë prindërit e tij dhe motra 21-vjeçare. Të tre kishin plagë nga armë zjarri. Hetuesit dyshojnë se edhe ata janë vrarë nga 24-vjeçari.

Autoritetet polake bëjnë të ditur se sulmuesi ishte i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë, ndërsa kryeministri Donald Tusk e cilësoi sulmin si akt terrorist.
Prokuroria ka hapur hetim për terrorizëm dhe vrasje të shumëfishta, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe të gjitha rrethanave të kësaj tragjedie që tronditi Poloninë.