3.000 studentë përfitojnë bursa, aplikimi deri më 20 nëntor – për herë të parë edhe për studentët me aftësi të kufizuara

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë gjithsej 3.000 bursa për studentët për vitin akademik 2026/2027. Afati i aplikimit është deri më 20 nëntor, ndërsa aplikimi bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike, përmes portalit zyrtar e-uslugi.mon.gov.mk⁠.

Këtë vit është paraparë një model i ri i shpërndarjes së bursave, ku për herë të parë janë përfshirë edhe kategori të veçanta për studentët me aftësi të kufizuara dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rralla, me nga 50 bursa për secilën kategori.
Sipas ndarjes së paraparë:
1.200 bursa për mbështetje sociale;
1.050 bursa për drejtimet strategjike, si matematika, fizika, kimia, bujqësia, pylltaria, biologjia mësimore dhe xehetaria;
750 bursa për studentët me sukses të lartë akademik, me notë mesatare së paku 8.50.
Bursat për drejtimet strategjike kapin vlerën prej 18.000 denarësh në muaj, ndërsa ato për mbështetje sociale dhe sukses akademik janë 6.050 denarë në muaj. Pagesat do të realizohen për nëntë muaj gjatë vitit akademik.
Ministria sqaron se modeli i ri synon orientimin më të mirë të mbështetjes financiare drejt nevojave të studentëve dhe përgatitjes së kuadrove në fusha me rëndësi strategjike për vendin.