OSBE ofron ndihmë për dialogun Shkup–Sofje, Kasisi: Është koha të kapërcehen mosmarrëveshjet!

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në procesin eurointegrues dhe në lehtësimin e dialogut me Bullgarinë.

Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm zviceran dhe kryesuesi i OSBE-së, Injacio Kasisi, pas takimit në Shkup me homologun e tij, Timço Mucunski.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, marrëdhëniet ekonomike, stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.

Kasisi theksoi se OSBE-ja mund të kontribuojë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve me vendet fqinje dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Pa besim nuk ka siguri, ndërsa pa siguri nuk ka prosperitet”, deklaroi ai.

“Për organizata si OSBE-ja, ky është momenti kur duhet të jenë të dobishme”, theksoi Kasisi, duke u bërë thirrje shteteve të ruajnë dialogun edhe përballë mosmarrëveshjeve të thella.