Alarm nga Brukseli: Paditë ndaj gazetarëve rriten mbi dyfish, liria e medias nën presion në Maqedoni!

Komisioni Evropian ka ngritur alarmin për përkeqësimin e kushteve të punës së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, duke konstatuar mungesë progresi në lirinë e shprehjes.

Sipas Raportit të Progresit për vitin 2026, numri i padive për fyerje dhe shpifje ku përfshihen gazetarë është rritur nga 15 në vitin 2024 në 40 gjatë vitit 2025.

Brukseli paralajmëron se presionet gjyqësore, kërcënimet, ndikimet politike dhe pasiguria financiare vazhdojnë të rrezikojnë pavarësinë e mediave.

Raporti zbulon se rreth gjysma e gazetarëve marrin paga nën mesataren shtetërore, ndërsa puna jashtë orarit shpesh mbetet e papaguar.

Komisioni shpreh shqetësim edhe për financimin e mediave përmes reklamave shtetërore, duke paralajmëruar rrezikun e ndikimit politik në politikat redaktuese.

Gjatë vitit 2025 janë regjistruar edhe 244 ankesa për përmbajtje mediatike, kryesisht ndaj portaleve.

BE-ja kërkon mbrojtje më të fuqishme të gazetarëve, transparencë në financimin e mediave dhe garanci për pavarësinë e tyre nga politika.