Alta Banka në administrim të jashtëzakonshëm, tre administratorët kanë 21 ditë për të zbardhur gjendjen

Banka Popullore ka vendosur administrim të përkohshëm tre-mujor në “Alta Banka” SHA Manastir, për shkak të rrethanave që mund të rrezikojnë aftësinë e saj për të përmbushur detyrimet financiare.

Tre administratorët e emëruar – Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska – kanë 21 ditë afat për të analizuar gjendjen e bankës dhe për t’i dorëzuar raport Bankës Popullore. Gjatë kësaj periudhe ata do të ushtrojnë kompetencat e organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse.

Ndërkohë, janë vendosur kufizime të ndjeshme në transaksionet bankare. Personat fizikë mund të tërheqin ose të shpenzojnë me kartelë deri në 10.000 denarë në javë. Personat juridikë nuk mund të transferojnë para jashtë bankës, ndërsa pagesat dalëse ndërkombëtare janë pezulluar për të gjithë klientët.

Depozitat e qytetarëve janë të siguruara deri në 30.000 euro përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave. Klientët me kredi duhet të vazhdojnë t’i shlyejnë detyrimet sipas afateve.

Guvernatori Trajko Sllaveski ka bërë të ditur se pronarit nga Beogradi i është kërkuar t’i nxjerrë aksionet në shitje, në të kundërtën ato do të ofrohen në ankand. Sipas tij, tashmë ka interesim nga blerës potencialë.