6 herë në sportel, pa asnjë zgjidhje! Shkupjania denoncon arrogancën në POC: “Ja ku e keni derën, dilni!”

6 HERË NË SPORTEL, PA ASNJË ZGJIDHJE! Shkupjania denoncon arrogancën në POC: “Ja ku e keni derën, dilni!”

Një qytetare nga Shkupi ka ngritur akuza për trajtim poshtërues dhe pengesa të vazhdueshme administrative në Ndërmarrjen Publike “Parkingjet e Komunës Qendër” (POC), pasi për më pak se një muaj është detyruar të paraqitet gjashtë herë në institucion, pa arritur ta rregullojë lejen e parkimit në Bunjakovec.

Rina Kirkova Taneska, përmes një postimi në Facebook, rrëfen se gjithçka nisi në mes të shtatorit, kur gjeti një gjobë në automjetin e saj, ndonëse, sipas saj, ishte parkuar në mënyrë të rregullt në hapësirën për banorët rezidentë. Edhe pse nga shërbimi për klientët i kishin pranuar se gjoba ishte vendosur gabimisht, ajo ishte detyruar të paraqiste ankesë.

Problemet u thelluan gjatë përpjekjeve për vazhdimin e kontratave të parkimit. Sipas rregullores së re të POC-it, adresa e banesës, letërnjoftimit dhe lejes së qarkullimit duhet të përputhet. Taneska thotë se ka marrë udhëzime kontradiktore dhe fillimisht i është kërkuar të paguante 24.000 denarë.

“Ja ku e keni derën!” – përgjigjja që e revoltoi qytetaren

Ajo pretendon se më 21 tetor, gjatë një takimi me një person përgjegjës në institucion, është përballur me sjellje fyese dhe kërcënuese. Kur kishte paralajmëruar se do t’i drejtohej kryetarit të Komunës Qendër, sipas saj, kishte marrë përgjigjen: “Lirisht, ja ku e keni derën!”.

“E poshtëruar, e fyer dhe pas kërcënimeve të drejtuara ndaj meje, u largova pa asnjë zgjidhje”, shkruan ajo, duke shtuar se më vonë i njëjti person i kishte kërkuar falje përmes telefonit.

Më 28 tetor, Taneska ishte informuar se për vazhdimin e dy kontratave duhej të paguante nga 12.000 denarë, ndërsa për njërën prej tyre kërkohej edhe vendim i një komisioni.

Për të shmangur procedurat, ajo vendosi t’i ndryshonte dokumentet personale. Brenda dy ditësh, në MPB dhe Kadastër, arriti t’i harmonizonte të gjitha dokumentet me një kosto prej rreth 1.500 denarësh.

Megjithatë, as vizita e gjashtë, më 30 tetor, nuk solli zgjidhje. Këtë herë iu tha se kontrata ekzistuese ishte ende në emër të babait të saj dhe vlente deri më 24 nëntor, ndërsa shqyrtimi i një kërkese të re mund të zgjaste shtatë ditë.

“Po gjatë atyre shtatë ditëve ku ta parkoj makinën?”, kishte pyetur ajo, por, sipas rrëfimit të saj, punonjësja vetëm kishte ngritur supet.

Taneska thotë se i është drejtuar edhe kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, por nuk kishte marrë përgjigje deri në publikimin e reagimit.

“Nuk kërkoj privilegje, as parkim falas. Kërkoj vetëm të më tregojnë çfarë dokumentesh duhet të dorëzoj dhe sa duhet të paguaj”, përfundon ajo.

Pas gjashtë vizitave dhe përpjekjeve të shumta, qytetarja ka vendosur ta provojë sërish aplikimin online, ndërsa problemi mbetet i pazgjidhur. Skopjeinfo.mk