„Mafia e pelenave“ me trotinetë elektrik: Kërkohet që policia t’ua konfiskojë mjetet të miturve

Dëmtimi i rampës hyrëse të shkollës së mesme „Moša Pijade“ në Tetovë, nga një i mitur që lëvizte me trotinet elektrik, ka nxitur reagime të shumta te qytetarët.

Një qytetar, përmes një komenti në Facebook, ka kërkuar nga policia zbatimin e ligjit dhe konfiskimin e trotinetëve nga personat që shkelin rregullat e qarkullimit.

„Përsëri mafia e pelenave me trotinetë elektrikë“, ka shkruar ai, duke kritikuar tolerimin e të miturve që drejtojnë këto mjete në kundërshtim me kufizimet ligjore.

Ndërkohë, nga shkolla bëjnë të ditur se rampa është dëmtuar për herë të tretë brenda një muaji. Rasti është paraqitur te organet kompetente, ndërsa drejtuesit e shkollës kanë dënuar vandalizmin dhe kanë apeluar për respektimin e pronës së përbashkët.