Shi i rrëmbyeshëm deri të martën, lokalisht mbi 60 litra për metër katror!

Nën ndikimin e një aktiviteti ciklonik, Maqedonia e Veriut do të përfshihet nga mot i vranët, më i ftohtë dhe me reshje të shpeshta shiu, të cilat do të zgjasin deri të martën.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), reshje më intensive priten të dielën dhe të martën. Në disa zona, sasia e shiut mund të kalojë 25 litra për metër katror brenda 24 orëve, ndërsa lokalisht gjatë gjithë kësaj periudhe mund të arrijë mbi 60 litra për metër katror.

Nesër moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme, lokalisht më të dendura se 20 litra për metër katror. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 11 gradë, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 15 gradë Celsius.

Në Shkup pritet mot kryesisht i vranët me reshje të herëpashershme shiu, veçanërisht pasdite dhe gjatë natës.

Nga e mërkura, moti do të stabilizohet dhe do të mbajë i thatë në ditët në vijim.