Kryeparlamentari Gashi në Butel, takim me kryetarin Kostovski: Në fokus projektet komunale dhe komunikimi me qytetarët

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka realizuar sot një vizitë pune në Komunën e Butelit, ku është takuar me kryetarin e saj, Darko Kostovski.

Gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit institucional, projektet që po realizohen në komunë dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.

Gashi ka theksuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve për realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.

Më pas, së bashku me deputeten Karolina Naskovska, ai ka vizituar Zyrën e Deputetëve për Kontakt me Qytetarët në Butel, duke inkurajuar shfrytëzimin e saj për komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit në Kuvend.

Kryeparlamentari ka theksuar gjithashtu rëndësinë e platformës elektronike për kontakt me qytetarët, transparencës dhe qasjes më të lehtë në institucionet shtetërore.

Sipas Gashit, këta mekanizma synojnë që kërkesat, propozimet dhe shqetësimet e qytetarëve të dëgjohen dhe të trajtohen nga institucionet përkatëse.