Polemika për konviktin “Stiv Naumov”: Janevska mohon akuzat për mure që shemben dhe çati që pikojnë!

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka hedhur poshtë akuzat për gjendjen e rëndë të konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup, duke deklaruar se objekti i rikonstruktuar është në gjendje të mirë.

Pas inspektimit të konviktit, Janevska mohoi pretendimet e LSDM-së se aty shemben mure, pikojnë çatitë dhe ka probleme serioze infrastrukturore.

“Nuk është e vërtetë se shemben muret apo se pikojnë çatitë. Konvikti është nën garanci dhe çdo defekt eventual do të riparohet nga kompania përgjegjëse”, deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se objekti është rikonstruktuar nga një kompani austriake në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe se përfaqësuesit evropianë e kanë vlerësuar si një nga konviktet më moderne në Ballkan.

Janevska akuzoi LSDM-në për përpjekje për të shkaktuar shqetësim te studentët dhe familjet e tyre.

Ndërkohë, Rinia Socialdemokrate e Maqedonisë (SDMM) këmbëngul se kushtet në konvikt janë përkeqësuar, duke përmendur probleme me ngrohjen, rrjedhjen e ujit dhe incidentin me bojlerin, ku nuk pati të lënduar.

Nga SDMM kërkuan kushte dinjitoze për akomodim dhe rritjen e subvencionit për ushqimin studentor në 200 denarë në ditë, duke vënë në pikëpyetje standardet e premtuara për konviktin e kategorisë A.