Pas dyshimeve për abuzime me operacionet e syve, reagon “European Eye Hospital”: Nuk kemi dëmtuar asnjë pacient!

Spitali i syve “European Eye Hospital” në Shkup ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në disa portale, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet që lidhen me veprimtarinë e institucionit shëndetësor.

Përmes një komunikate, drejtuesit e spitalit theksojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e çdo dyshimi.

“Institucioni ynë nuk ka dëmtuar asnjë pacient, as në aspektin shëndetësor, as në atë moral apo financiar”, thuhet në reagim.

Nga spitali deklarojnë se prej më shumë se një viti funksionojnë pa mbështetjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, por, sipas tyre, kanë arritur të ruajnë cilësinë e shërbimeve dhe çmimet e përballueshme të ndërhyrjeve oftalmologjike.

Në komunikatën drejtuar pacientëve dhe opinionit publik, spitali thekson se do të bëjë gjithçka që e vërteta të dalë në dritë.

Njëkohësisht, u bëhet thirrje mediave të respektojnë standardet profesionale dhe t’u mundësojnë institucioneve ta përfundojnë punën e tyre pa paragjykime.

“Tregoni profesionalizëm dhe respekt ndaj ligjeve, integritetit dhe dinjitetit të të gjithëve”, përfundon reagimi i spitalit.