Rexhepi: Jam kërcënuar pasi zbardhëm planin e vjedhjes te parcela ndërtimore e zjarrfikësve

Kryetari i BDI-së në degën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se ka marrë kërcënime nga një person, pasi kishte denoncuar atë që e cilëson si plan për keqpërdorimin e pronës komunale në parcelën ndërtimore të zjarrfikësve.

Rexhepi ka bërë të ditur se kërcënimet i ka pranuar mbrëmjen e kaluar nga Ibrahim Ferati, për të cilin pretendon se është i lidhur me pronarët dhe autorët e projektit, si dhe me kompaninë që po ndërton objektin e komunës.

Ai ka thënë se rastin tashmë e ka paraqitur në polici, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga denoncimi ndërkohë që u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin, ndërsa i është drejtuar edhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke i kërkuar që të ndalë personat që, sipas tij, po përdorin kërcënime.