Fund koncesioneve për sallat sportive! Ristovski paralajmëron rikthimin e objekteve në shërbim të sportistëve

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, ka paralajmëruar një model të ri të menaxhimit të objekteve sportive në Maqedoninë e Veriut, duke kundërshtuar dhënien e tyre me koncesion afatgjatë kompanive private.

Sipas tij, sallat e ndërtuara apo të rinovuara me mjete shtetërore duhet t’u besohen federatave sportive kombëtare, të cilat do të mbajnë përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tyre.

Ristovski njoftoi se do të rinovohen edhe pista e patinazhit dhe pishina në kompleksin sportiv “Kale” në Shkup, pasi kontrata me koncesionarin është ndërprerë dhe objektet janë kthyer nën administrimin shtetëror.

Ai përmendi edhe investimet në sallat sportive në Prilep, Dellçevë e Shkup, si dhe ndërtimin e tri sallave të reja, dy në Shkup dhe një në Krushevë.

Ministri theksoi se modeli i ri tashmë ka nisur të zbatohet: pishina “Partizan” në Karposh i është besuar Federatës së Notit, ndërsa salla “Rasadnik” Federatës së Hendbollit.

“Nuk e mbështes dhënien e sallave sportive privatëve për 20 apo 30 vjet. Objektet duhet të jenë në funksion të sportit”, deklaroi Ristovski./plusinfo