Mickoski me shifra për karburantet: “Më të lirët në rajon!” – Por a do të shtrenjtohet rryma nga 1 janari?

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, falë uljes së akcizave dhe TVSH-së, ndërsa për mundësinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike tha se vendimi do të bëhet i ditur në dhjetor.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, Mickoski tha se një litër naftë kushton 99 denarë në Maqedoninë e Veriut, kundrejt 124 denarëve në Serbi, 129 në Greqi dhe 145 në Shqipëri.

Sipas të dhënave që prezantoi, benzina Eurosuper 95 kushton 91 denarë për litër në vend, ndërsa në Shqipëri 117 dhe në Greqi 131 denarë.

Kryeministri theksoi se ulja e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 për qind ka ndikuar në zbutjen e krizës energjetike, por njëkohësisht ka shkaktuar mungesë të të ardhurave buxhetore prej rreth 100 milionë eurosh. Për këtë arsye, Qeveria po përgatit rebalancin e dytë të Buxhetit.

Sa i përket energjisë elektrike, Mickoski i cilësoi si spekulime paralajmërimet e opozitës për shtrenjtim.

“Do të vijë 1 janari dhe do të shohim nëse energjia elektrike do të shtrenjtohet”, deklaroi ai, duke shtuar se përgjigjen përfundimtare do ta japë Komisioni Rregullator i Energjetikës në dhjetor.