Rreth 5.000 persona pësojnë goditje në tru çdo vit në Maqedoninë e Veriut. Mjekët paralajmërojnë se kjo gjendje po prek gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë. Në dy vitet e fundit është rritur numri i pacientëve nën moshën 50-vjeçare, ndërsa pacientja më e re në Klinikën e Neurologjisë ishte vetëm 16 vjeçe.
Rreth 30 deri në 40 për qind e pacientëve mbeten me pasoja të përhershme, si paralizë, vështirësi në të folur, probleme me kujtesën ose pamundësi për të lëvizur normalisht.
Goditja në tru ndodh kur ndërpritet furnizimi me gjak i një pjese të trurit, zakonisht për shkak të bllokimit ose çarjes së një ene gjaku.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar janë:
* Marramendje dhe humbje e ekuilibrit.
* Probleme të papritura me shikimin.
* Shtrembërim i njërës anë të fytyrës.
* Dobësi ose pamundësi për të ngritur njërin krah.
* Vështirësi në të folur ose në kuptimin e fjalëve.
Nëse shfaqet ndonjë nga këto shenja, duhet të thirret menjëherë ndihma e shpejtë në 194. Çdo minutë është e rëndësishme, sepse trajtimi i shpejtë mund të shpëtojë jetën dhe të parandalojë pasoja të rënda.
Tensioni i lartë i gjakut, duhani, diabeti, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik rrisin rrezikun. Kontrolli i rregullt i shëndetit dhe trajtimi në kohë i këtyre problemeve ndihmojnë në parandalimin e goditjes në tru.





